Home Uncategorized Isa Mustafa thotë se është papjekuri politike të tentohet të luhet me...

Isa Mustafa thotë se është papjekuri politike të tentohet të luhet me marrëveshjet me Washingtonin

21
Advertisement

Mustafa: Është papjekuri politike të tentohet të luhet me marrëveshjet me Washingtonin.

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se as që duhet të diskutohet se a duhet të zbatohet marrëveshja e nënshkruar me Serbinë në Washington në shtator të vitit të kaluar.

Mustafa në një përgjigje për T7 tha se në SHBA ndërrohen qeveritë por politikat e tyre ndaj Kosovës gjithherë mbeten konsistente.

“Është papjekuri politike të tentohet të luhet me marrëveshjet me Washingtonin. Marrëveshja është nënshkruar nga një qeveri legale e Kosovës. Çdo gjë që figuron në marrëveshje i takon fushëveprimit të Qeverise”, tha Mustafa.

Ai ka theksuar edhe përfitimet tepër të rëndësishme që i shkojnë Kosovës nga kjo marrëveshje.

“Pjesë e kesaj marreveshje është edhe njohja nga Izraeli, investimet amerikane, Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit…. a thua dikush do të marrë guxim t’i anulojë. Cili është interesi i Kosovës të veprohet ashtu..”, tha Mustafa.

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti para pak ditësh e ka konsideruar si të pavlerë juridikisht Marrëveshjen e 4 shtatorit, të nënshkruar nga atëherë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si një dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar edhe se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Andaj kjo është vlera e atij dokumenti. Përtej asaj ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”, ka thënë të premten zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.