Home Uncategorized A po bëhet bashkë opozita për ta dërguar Vjosa Osmanin në Kushtetuese?

A po bëhet bashkë opozita për ta dërguar Vjosa Osmanin në Kushtetuese?

62
Advertisement

Shkarkimi i Valdete Dakës – A po bëhet bashkë opozita për ta dërguar Vjosa Osmanin në Kushtetuese.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të hënën e ka shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Daka deklaroi se shkarkimi i saj është i porositur, dhe se do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese nëse ka mundësi. Në anën tjetër, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha se Presidentja e ka shkelur Kushtetutën me shkarkimin e kryesueses së KQZ-së. Partitë opozitare në vend i dolën kundër Osmanit, por a do ta dërgojnë ato në Kushtetuese vendimin e saj?

Valdete Daka nuk është më në krye të KQZ-së. Pas më shumë se një dekade shërbim aty, ajo u shkarkua pa e përfunduar mandatin e saj të dytë.

Presidentja Osmani në vendimin për shkarkimin e Dakës tha se kryesuesja e KQZ-së nuk arriti t’i nënshtrohet parimit të paanësisë.
Një ditë pas shkarkimit, Daka doli në një konferencë për media, ku tha se shkarkimi i saj ishte i porositur.

Ish-kryetarja e KQZ-së deklaroi se do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar shkarkimin.

“Në qoftë se ka mundësi do t’i drejtohem edhe Gjykatës Kushtetuese. Do t’i shqyrtoj të gjitha mundësitë dhe duke marrë parasysh që edhe vetë jam gjyqtare, i di do punë juridike, do t’i drejtohem gjykatës kompetente në këtë rast”, ka deklaruar Daka.

E një veprim të Dakës po e pret edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

I pyetur se a po koordinohet LDK-ja me partitë tjera opozitare për ta dërguar Osmanin në Kushtetuese, shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi, ka deklaruar për Express se partia e tij po pret të shohë se si do të veprojë vetë Daka në këtë rast.

“Ne po presim si do të veprojë znj.Daka dhe institucionet tjera të thirrura për të drejtuar raste në gjykatë, pastaj do të shohim si do të veprojmë”, ka deklaruar Gashi.

Ndërkaq zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lulëzim Blaka, ka deklaruar për Express se parimisht ka një koordinim të partive opozitare për ta trajtuar shkarkimin e Dakës sipas të gjitha mundësive që ofron Ligji.

“Parimisht jemi dakorduar që të koordinohemi me partitë opozitare, që çështjen e shkarkimit të znj.Daka ta trajtojmë sipas të gjitha mundësive që ofron Ligji”, ka deklaruar Blaka.

Express ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga Partia Demokratike e Kosovës për të këtë çështje, por deri në publikimin e këtij teksti, nga PDK nuk janë përgjigjur.

Ndryshe, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një lidhje telefonike në ‘Pressing’ në T7, e ka cilësuar si “shkelje të pastër Kushtetuese” vendimin e presidentes Osmani për Dakën.

“Është shkelje e pastër Kushtetuese. Parametri kushtetues është kushtetuta jonë. Po qe se shkon në kushtetuese, Gjykata Kushtetuese kurrë nuk mund ta arsyetojë se shkarkimi i kryesueses së KQZ’së mund të bëhet nga presidentja siç e ka bërë presidentja e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, për arsyetimin e presidencës për shkarkimin e Dakës, njohësi i çështjeve dhe juridike ka thënë se është përdorur gjuhë jo-profesionale.

“Që ta kemi të qartë, asnjë komeptencë e presidentit të Kosovës dhe presidentëve që kanë sistem të ngjashëm me ne, nuk kanë kompetencë ekzekutive, të gjitha janë zinxhirore. Kushtetuta e thotë shumë mirë se Presidenti ka të drejtë vetëm për të emëruar kryesuesin e KQZ, që do të thotë për të aminuar zgjedhjen e bërë nga Apeli ose Supremja e Kosovës”, ka deklaruar Hasani.