Home Uncategorized A është nën kontroll gripi i shpezëve në Kosovë?

A është nën kontroll gripi i shpezëve në Kosovë?

28
Advertisement

AUV: Gripi i shpezëve H5N8 është nën kontroll.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës, (AUV) ka asgjësuar një numër të shpezëve në dhjetë ferma familjare, në lokacione të ndryshme nëpër Kosovë, për shkak të diagnostikimit të tyre me virusin H5N8, apo siç njihet ndryshe, gripi i shpezëve, kurse disa ferma të tjera po mbahen në izolim, deri në përfundimin e analizave.

Lamir Thaçi, zëdhënës në këtë institucion, tha se pas konfirmimit të prezencës se këtij virusi në Kosovë, në fund të muajit të kaluar, AUV është duke monitoruar situatën në terren, më qëllim të parandalimit dhe luftimit të kësaj sëmundje.

Deri më tani në Kosovë, thotë ai, nuk ka shpezë të prekura në ndonjë fermë komerciale, produktet e të cilave janë të pranishme në treg. Për këtë arsye, nuk ka dyshim apo rrezik për konsum të produkteve nga fermat vendore.

“Fatmirësisht, deri më tani kemi të prekura vetëm një numër të kufizuar të fermave familjare, kurse fermat tjera komerciale, janë të lira dhe masat e biosigurisë nga fermerët janë marrë më kohë. AUV do të bëjë monitorimin që të vazhdojë mbikëqyrja e zbatimit të masave, që të mos kemi shtim të numrit të rasteve të prekura, apo ta tejkalojmë sa më lehtë që mos të kemi dëmtim ekonomik, qoftë për fermerë apo shtetin tonë”, tha Thaçi

Fermerët kanë marrë masa parandaluese
Gripi i shpezëve, kryesisht përhapet nga kontakti i drejtpërdrejtë midis zogjve të infektuar dhe atyre të shëndoshë dhe mund të bartet edhe tek njerëzit. Njerëzit gjithashtu mund të përhapin sëmundjen indirekt, nga ferma në fermë, duke bartur virusin në veshjet e tyre.

Në Kosovë ekzistojnë mbi 180 ferma komerciale të shpezëve, të cilat arrijnë me produktet e tyre (mish, vezë) të mbulojnë shumicën e tregut të brendshëm. Pronarët e këtyre fermave me, rekomandim të AUV kanë dezinfektuar hapësirat e jashtme të objekteve, për të parandaluar mundësinë e përhapjes se këtij virusi, tha Sabit Rama, kryetar i Shoqatës se Shpezëtarëve të Kosovës.

“Situata është nën kontroll. Fermat komerciale janë në sistem të mbyllur. Megjithatë, fermerët kanë marrë masa të rrepta, duke bërë dezinfektimin jashtë objekteve të fermave, për shkak të shpezëve të egra”, tha Rama.

Megjithatë, AUV ka sugjeruar konsumatorët të kenë kujdes gjatë furnizimit me mish të shpezëve dhe me vezë. Në një njoftim për media, thuhet se “furnizimi me mish të shpezëve të bëhet vetëm nga operatorët ekonomikë te aprovuar dhe regjistruar në marketet dhe dyqanet e autorizuara dhe jo në tregjet e kafshëve, ku therja ndodh aty për aty nga operatorë ilegalë”.

Profesionistë shëndetësorë, ndërkaq pohojnë se tek njeriu, deri më tani në Kosovë nuk ka ndonjë rast të konfirmuar me gripin e shpezëve. Infekologu Sali Ahmeti, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se nuk ka vend për shqetësim, pasi në aspektin klinik nuk paraqet ndonjë rrezikshmëri më të veçantë, se sa viruset tjera të rrugëve respiratore.

“Unë nuk shoh ndonjë arsye për shqetësim. Nëse eventualisht shfaqen raste, është një menaxhim i zakonshëm sikur për viruset e tjera. Menaxhimi i tij qoftë në aspektin klinik dhe laboratorik, është më i lehtë se sa COVID 19”, tha Ahmeti.

Edhe në Shqipëri, me datë 8 qershor janë konfirmuar rastet e para me grip të shpezëve. Shërbimi Veterinar atje kreu eliminimin e shpezëve të prekura dhe atyre dyshimta.

Kurse qeveria e Kinës, tashmë ka konfirmuar rastin e parë të infektimit të njeriut, nga gripi i shpezëve.

Virusi H5N8, është virus vdekjeprurës për shpezët në ferma dhe shpezët e egra. Në vitin 2021, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shtatë persona punëtorë të një ferme janë infektuar në Rusi me këtë virus. Ky virus, është duke qarkulluar në fermat në vende të ndryshme të Evropës që nga viti 2014. Sipas OBSH-së, infektimi me këtë virus i njerëzve konsiderohet shumë i ulët. Personat e infektuar duhet të mbikëqyren minimum 10 ditë, për të kontrolluar simptomat.